Lajme

Gërmia me pak vizitorë

03/25/2018 16:50
nga:Gazeta Blic

Pas ditëve me ajër të ndotur, qytetarët e Prishtinës e kanë një vend ku mund ta kalojnë kohën e lirë pa këtë brengë. Por duket se rënia e borës në ditët e para të pranverës e ka bërë të veten, pasi një numër i vogël qytetarësh kishin vendosur sot ta frekuentonin Parkun e Gërmisë.

Në vend të luleve, pranvera e këtij viti solli dëborën e bardhë. Petku i bardhë i borës që kishte mbuluar Gërminë, sot vende-vende kishte filluar të shkrijë, e aty këtu ishte shndërruar në akull.

Ndryshe nga të dielat tjera, këndet e lojërave për fëmijë ishin pothuajse të zbrazëta. Derisa ata shiheshin tek ngjiteshin drejt shtigjeve malore për të rrëshqitur me saja.

Meqenëse fëmijët janë ata që i gëzohen më së shumti borës, edhe Esila dhe Mert Erdemir, kishin dalë sot për të lozur në parkun e Gërmisë.

E megjithatë, është Esila Erdemir ajo që ka shprehur habi për borën që ra këtë fillim-mars.

Erdemir: Ne kemi pritë që koha të jetë me diell

“Na kemi pritë që koha të jetë ma shumë me diell, por ka ra borë dhe mirë edhe borë edhe diell. S’ka lidhje… Më pëlqen edhe kur bie borë edhe kur ka diell”, tha ajo.

Vëllai i saj thotë se i pëlqen shumë Gërmia, pasi që aty mund të luajë me top kur është koha e me diell, derisa thotë se i kënaqet edhe borës pasi që mund të rrëshqasë.

Erdemir: Kur ka borë mund të rrëshqasim

“Kur është koha e mirë se mundemi me u luhatë e të luajmë futboll. Çka të dëshirojmë. E kur po ka borë, edhe kur po ka borë mirë. Mundemi me rrëshqit, mundemi me u gjuajt me borë, shumë mirë”, tha ai.

I njohur për hapësirën gjelbëruese, shëtitoren, këndin e lojërave për fëmijë, restorantet me meny të begatë, Parku i Gërmisë ofron kushte për të gjitha moshat.

Qytetari Ymer Berbati në një prononcim për KosovaPress ka thënë se e viziton shpesh parkun e Gërmisë, pasi që i pëlqen të ecë në ajër të pastër dhe hapësira gjelbëruese.

Ndërsa sa i përket rënies së borës këtë pranverë, thotë se natyra i ka teket e veta.

Berbati: Duhet të dimë ta shfrytëzojmë dhe ta ruajmë

“Gërmia jo vend atraksioni, por është parajsa e Prishtinës, parajsa e ne banorëve, të cilët duhet të dimë ta shfrytëzojmë dhe ta ruajmë. Prandaj nuk jemi të vetëdijshëm se çfarë pasurie është ky për ne. Unë dal rregullisht, i shoh disa që rrinë nëpër kafene, tymosin, e nuk e shfrytëzojnë”, u shpreh Berbati.

Për Xhavit Blakajn, petku i bardhë i borës vetëm sa e ka zbukuruar atë hapësirë, porse megjithatë ka paraqitur edhe pengesa, pasi që thotë se nuk është ndërmarrë asgjë për të stimuluar shkrirjen e akullit në shtigjet e parapara për ecje.

Blakaj: Është dashur të kriposet kjo rrugica këtu që është e shtruar më kubëza

“Sot si ditë kaq e mirë nuk është shfrytëzuar sa duhet. Shihet 30 për qind krahasuar me ditët e tjera që dalin, sot kanë dalë, edhe pse moti është shumë i mirë. Një vërejtje e kam këtu, rrugica për ne këmbësorët është e ngrirë më akull, është shumë vështirë të qarkullohet… Është dashur të kriposet kjo rrugica këtu që është e shtruar më kubëza të vegjël”, tha ai.

E pensionisti Bahtir Bekteshi ka rrëfyer për KosovaPress se vuan nga diabeti, teksa ka thënë se është pikërisht Gërmia me magjinë e saj që i ndihmon të ndjehet më mirë.

Për këtë, ai rekomandon të gjithë qytetarët që sa më shpesh të zgjedhin Gërminë si pikën e tyre të destinacionit.

Bekteshi: Ky është vend i hairit

“Unë kur vij këtu nën 10 e kam, 8,6 ka ndodhë edhe 4. E kur nuk vij, 15,16 deri në 18. E kjo është që ky vend është shumë i hairit për popullatën, këtu duhet të vijnë njerëzit si buburrecat”, tha Bekteshi.

Ndërkaq, Bekteshi tha se mban në mend të ketë rënë borë edhe në Shën Gjergj, porse të jetë shkrirë po atë ditë. Teksa tha se nuk e mban mend se kur ka mbajtur një mot i tillë si tani në pranverë.

Ndryshe, Parku i Gërmisë gjatë verës tërheq edhe më shumë vizitorë gjatë çdo dite të javës, me hapjen e Prishtinës së Gërmisë.

05/14/2019 15:47

Parku ‘Gërmia’, numëron më shumë se 55 lloje të zogjve