Lajme

Fshati Aqarevë, i lënë pas dore

07/14/2019 14:48
nga:Y I

Ahmet H., banor i fshatit Aqarevë, tregon se për të arritur në qytetin e Skënderajt duhet paguar taksin 8 euro për shkak se në fshatin e tij nuk ka transport.

Arditë Hoti*

E problemin e njëjtë e kanë edhe banorët e tjerë të këtij fshati. Edhe pse një fshat me numër  jo të vogël të banorëve, ata ende nuk kanë transport, pavarësisht ankesave të shumta në komunë.

“Është shumë problem për udhëtim dhe është një jetë e vështirë në këtë fshat për arsye se ka mungesë të ujit, infrastrukturës dhe transportit. Në fakt, e kemi një minibus, i cili nuk është me orar të caktuar. Ndonëse nuk ka orar të rregullt, ai ka një numër të madh udhëtarësh”, tha banori i fshatit Aqarevë, R.Rr.

Nxënësja L.A., banore e fshatit Aqarevë, tregon se për të arritur në shkollë është  vështirë, pasi që në atë minibus ka numër të madh udhëtarësh, edhe pse numri i ulëseve është shumë i vogël.

“Gjatë stinës së dimrit, kam qenë e frikësuar se do të ndodhë ndonjë aksident, për shkak se rrugët ishin me akull dhe nuk ndihesha e sigurt, pasi që as mjeti drejtues  nuk është në gjendje të rregullt”, tha ajo.

Kam humbur edhe orë të shumta mësimore për shkak të kushteve jo të mira të transportit. Kam qenë edhe në komunë”, shtoi ajo. Përgjigjja e kryetarit të komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, ishte se ky problem do të zgjidhej brenda javës. Edhe pas këtij premtimi të kryetarit të kësaj komune, banorët e këtij fshati po vazhdojnë të përballen me të njëjtin problem.

Jeta e së paku 60 udhëtarëve, të cilët udhëtojnë çdo ditë me këtë minibus, është në rrezik, pasi që ky mjet drejtues nuk është në gjendje të rregullt.

Punëtorë të lodhur

Me rroba të bëra pis në vendin e punës e të lodhur, ia mësynë rrugës për në shtëpi. Kur ora shënoi 18, kombibusi i mbushur me plot udhëtarë, disa prej të cilëve ndodheshin në hapësirën e bagazhit, u nis për në fshatin Aqarevë, mirëpo gjatë rrugës, kur ora ishte 18 e 10 minuta, policia e ndaloi këtë automjet.

Kur u pyet nga policia për numrin e madh të udhëtarëve, shoferi tha: “E di se nuk është në rregull, por nuk kemi çfarë të bëjmë. Se në çfarë gjendje jemi e di edhe komuna”.

Përderisa, policia e pyesnin shoferin, dëgjoheshin zërat e udhëtareve, të cilët ishin të lodhur nga puna. “Kemi nevojë të shkojmë në shtëpi, jemi shumë të lodhur”.

“Nuk dua që të ju ofendoj, por as edhe një lloj kafshe nuk duhet të qëndrojë aty, lëre më një person”, ishin fjalët e polici për shoferin.

Atë kohë kur çdo gjë ishte ndryshe

Gjithçka dukej e zymtë në këtë ditë pranvere në këtë fshat. Rrezet e diellit depërtonin në dritaret e shkollës së këtij fshati. Zogjtë dëgjoheshin duke kënduar aq bukur, por fëmijët nuk dëgjoheshin duke lozur si më parë.

H.A. i kujton kohërat e vjetra në këtë fshat, kujton rrugët përplot fëmijë me çanta në krah, ditët e bukura të stinës së pranverës, ditët kur dëgjoheshin zhurma e fëmijëve duke lozur, zhurma e bujkut duke e punuar tokën, ato ditë kur fushat e këtij fshati ishin përplot gjelbërim e bagëti duke kullotur. Kujton fytyrat e buzëqeshura të të rinjve pas shënimit të një goli në fushën e fshatit.

E kujton edhe dhjetorin e mbushur me plot dashuri, ato ditë kur mbizotëronte  kaltërsia e qiellit dhe ngjyra e bardhë e borës, mëngjesin e atyre ditëve kur fëmijët zgjoheshin në orët e para të mëngjesit për të skijuar, ato ditë kur fëmijët ishin  shumë të lumtur, edhe pse nuk kishin drita sikur sot, nuk kishin asnjë bredh, siç kanë sot. Sidoqoftë, ata nuk ankoheshin, sepse e kishin dhjetorin e mbushur më plot dashuri.

*Arditë Hoti është studente e Degës së Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.