Lajme

Flet Lutfi Haziri, tregon për takimin e sotëm të Mustafës dhe Osmanit me Kurtin

10/10/2019 10:06
nga:B. D

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për Gazetën Blic në lidhje me takimin që pritet të ndodh sot i përbërë nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dhe kandidatja për kryeministre nga LDK-ja, Vjosa Osmanin, me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Haziri e konfirmoi edhe njëherë që ky takim do të ndodh sot dhe se është takimi i parë që nga shpallja e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 6 tetorit, shkruan Gazeta Blic.

Ai ka refuzuar të jap detajet e takimit, duke thënë se për ecurinë e takimit do të ketë njoftime me kohë.

“Do të ndodh sot takimi gjatë ditës, është takimi i parë i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës dhe Vjosa Osmanit, është takimi i parë dhe më kohë do të njoftoheni”, tha ai duke mos treguar për detajet tjera të takimit.

Ndryshe, Osmani, konsideron se nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç formimit të qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Së bashku me VV-në, Osmani thekson se duhet ta kenë vetëm një interes para vetës, atë për qytetarët e Kosovës.“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ajo, përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook”

Në takimin e sotëm pritet të vendoset për bashkëqeverisje nga të dyja palët, LVV-LDK, si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit të cilat sipas rezultateve preliminare të KQZ-së fitues del Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin e saj për kryeministër, Albin Kurti.