Opinion

Edhe njëherë për feminizmin si domosdoshmëri shoqërore

09/01/2019 16:00
nga:Sead Zimeri

Çështja e gruas në shoqërinë tonë është komplekse dhe asgjë e mençur nuk mund të thuhet pa e marrë në konsideratë kompleksitetin shoqëror dhe strukturor të shoqërisë (në fakt shoqërive) shqiptare.

Është një çështje e ndieshme po ashtu pasi që në pyetje janë të drejtat e gruas si grua, dhe duke marrë parasysh që gruaja përbën gjysmën e shoqërisë ajo nuk mund të trajtohet siç trajtohen minoritetet politike në vende jodemokratike.

Gruaja ka të drejtë në të drejtat e saja. Këto të drejta përfshijnë të drejtën e saj për liri të barabartë me burrin, dhe për të drejta tjera shtesë që i takojnë asaj si grua.

Gruaja ka të drejtë të jetë e barabartë me burrin në çdo aspekt të jetës shoqërore. Ky është parimi fundamental pa të cilin nuk mund të organizohet shoqëria me drejtësi.

Por në shoqërinë tonë gruaja nuk është e barabartë dhe ajo trajtohet sikur të jetë pronë e familjes së saj. Ajo nuk trajtohet e barabartë në asnjë instancë të shoqërisë. Kjo e bën problemin e barazisë së gruas problem shoqëror, në fakt, e bën problemin më të madh shoqëror të shqiptarëve. Gratë shtypen dhe diskriminohen në baza gjinore, dhe trajtohen si inferiore në krahasim me burrin. Këto janë faktet që duhet kuptuar si përbërës të një krize të madhe shoqërore. Këto fakte përcaktojnë nevojën tonë për një lëvizje feministe të fuqishme.

Megjithatë, nuk ekziston zgjidhje unanime se si duhet dalur nga kjo krizë. As feministet ndërmjet veti nuk janë dakord se cila është mënyra më e mirë për ta bërë gruan të barabartë. Punësimi në pozitave të larta është indikator që gruaja ka të drejta të barabarta, por jo domosdoshmërisht. Në disa vende tjera gruaja është bërë kryeministre dhe ministre por gratë në përgjithësi nuk janë të barabarta, dhe anasjelltas.

Të jesh për të drejta të barabarta nuk do të thotë që e dimë saktësisht se si duhet realizuar këto të drejta. A është, për shembull, kandidimi i Vjosa Osmanit për kryeministre në një parti që ka kredibilitet feminist të dobët progres për gruan? Nëse është a duhet përkrahur atë nëse ardhja e saj në pushtet dëmton format tjera të emancipimit, madje ndoshta edhe vetë emencipimin feminist? A duhet implementuar të drejtat përmes sistemit të kuotave apo meritokracisë? Por ç’kuptim ka meritokracia në një sistem jomeritor? Kërkohet të bëjmë një reflektim të thellë dhe të japim një gjykim që merr parasysh shoqërinë si tërësi me të gjitha sfidat që ajo i përjeton. Është grua dhe kjo shënjon një progres, sado të vogël, për gruan në përgjithësi. Por politika e saj i kontribon stagnimit shoqëror që e pamundëson realizimin e çdo plani emancipues feminist. Vendosemi pra para një dileme që kërkon zgjidhje racionale, e jo vetëm ideologjike dhe dogmatike. Njeriu nuk i bën nder vetes kur përballet me dilema të këtilla në vend që ta konsulltojë arsyen ndjek parimet filozofisë së tij pa i kuptuar dinamikat tjera shoqërore. Nuk do të heqësh dorë nga parimet tua, por do t’ua adaptaosh ato kontekstit ku vepron.

E kupton pra që çështja e gruas nuk është dhe nuk mund të ndahet nga çështjet tjera shoqërore, përndryshe zgjidhjet tona dalin simpliste, moralizuese, dhe pa vizion. Ngritja e një gruaje në pozitë udhëheqëse pra nuk mund të jetë zgjidhje reale për të gjitha gratë, sepse gratë tjera nuk mund të emancipohen pa u emancipuar shoqëria, dhe nuk mund të promovohen të gjitha në pozita lidershipi. Kërkohet ndryshimi i strukturave që mbajnë gruan të shtypur e të diskriminuar që ajo të bëhet e barabartë. Kur një grua vjen nga këto struktura është e arsyeshme të supozohet që ajo i shërben atyre strukturave.

Por kjo nuk do të thotë që promovimi i grave në pozita të larta udhëheqëse është hap i gabuar apo që në një shoqëri ku punësimi dhe promovimi nuk bëhet sipas meritave por nepotizmit gratë duhet punësuar sipas meritave. Insistimi në meritë në një shoqëri jomeritore është formë e tërthortë e diskriminimit dhe seksizmit. Nëse burri punësohet pa meritë dhe kjo nuk vërehet apo nuk kritikohet kurse kur një grua punësohet pa meritë të gjithë përnjëherë bëhemi meritokratë atëherë këtu meritokracia është perde për ta mbuluar seksizmin tonë.

Mund të pyetësh: pasi gruaja është problem shoqëror ç’nevojë kemi pra për feminizëm? Feminizmi e parashtron çështjen e shtypjes së gruas në terme gjinore, ajo shtypet sepse është grua. Po të mos jetë kështu atëherë feminizmi bëhet i panevojshëm, madje edhe i dëmshëm. Statusi shoqëror i diskriminimit të gruas megjithatë nuk e mohon apo nuk qëndron në kundërthënie me shtypjen e gruas si grua. Shtypja e gruas si grua është dinamikë krejt tjetër nga shtypja e saj si punëtore, si anëtare e një klase tjetër shoqërore. Ajo mund të shtypet si shqiptare, si punëtore, si ateiste, si fetare, si komuniste apo kapitaliste. Pavarësisht në cilën kategori të shtypur merr pjesë ajo, njëjtë si burri, i nështrohet mekanizmave të njëjtë të shtypjes, dhe duhet që t’i luftojë këto shtypje sipas natyrës që ato i shfaqen.