BLIC.TV

E thotë Fadil Demiri: Agim Ramadani nuk ka qenë në LDK

04/19/2019 23:09
nga:Gazeta Blic

Ish-oficer ushtarak Fadil Demiri, për herë të parë në emisionin “Blic Interview” deklaroi se heroi i kombit Agim Ramadani, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e LDK-së.

Demiri, akuzoi se në vazhdimësi është manipuluar opinioni për angazhimin e ish-bashkëluftëtarit të tij, në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova, që tani e udhëheq Isa Mustafa, LDK-në.

“Agim Ramadani nuk ka qenë në LDK. Agim Ramadani ka qenë anëtar i LKÇK-së, atë e di saktë. Pra në aspekt akademik ka qenë në LKÇK”, u shpreh Demiri në emisionin “Blic InterView”, derisa përmendi edhe takimin e fundit me të “herën e fundit kur jemi pa, ka qenë natën e bombardimeve”, raporton GazetaBlic.

Ndërkaq duke folur për misionin e Betejës së Koshares, Demiri me zhgënjim u shpreh se qëllimi nuk është arritur, që sipas tij ka qenë hapja e korridorit me Zonën e Dukagjinit.
Ai po ashtu mohoj se përgjatë luftës ka ekzistuar FARK-u.

“FARK-u në kuptimin e emrit ka qenë paksa imagjinar. Edhe dokumentet janë lëshuar si UÇK. Nuk e di a ka pa ndonjëkush FARK. FARK ka qenë ide e vjetër, e kanë quajtur FARK, por FARK nuk ka pas. Askush nuk ka mbajtë shenjë të FARK-ut”, tha ai.