Opinion

Diaspora e ka veç një faj: Që dha kaq shumë për Kosovën

04/14/2019 16:19
nga:Nezir Kraki

Realitetet e diasporës shqiptare, e sidomos asaj të Kosovës, janë shumë më komplekse se diskutimet e cekëta të një kaste te frustruar që 365 ditët e një viti i kalon në 2km katror, nën ajrin e ndotur të Prishtinës, në pritje të ndonjë copëze pushteti

Unë e di që në Kosovë, për fatin tonë të zi, ka tashmë edhe liga injorantësh që vetëfuqizohen me media sa fiktive aq edhe të gërditshme, por e vërteta nuk gjendet në atë mes, ju garantoj. Në fakt, e vërteta dhe arsyeja e shëndoshë shkojnë zakonisht bashkë. Arsye të shëndoshë nuk mund të kenë as injorantët e kravatuar, por as argatët e tyre të kamufluar në media dhe shoqëri civile.

Tipat e tille nuk arrijnë, herë nga injoranca e herë nga argatllëku ndaj bandave, as t’i kuptojnë vakitë politike e sociale të Prishtinës, por marrin turr të na sqarojnë jetën e 1 milion shqiptarëve të Kosovës të shpërndarë në mbi 100 shtete.

Veç në Gjermani ka sot më shumë intelektualë dhe njerëz të arritur nga mërgata jonë se në krejt Kosovën. Sa intelektualë të vërtetë ka sot Kosova? Unë s’i njoh as 50 të tillë.

Po, diaspora jonë nuk është shkollu sa duhet, sepse kishte halle të tjera. Familjet shqiptare në botë së pari garantuan mbijetesën tonë nën regjimin e Milosheviqit, pastaj paguan luftën tonë.

Pas luftës e rindërtuan Kosovën dhe për 3-4 vjet gati asnjë gjurmë lufte s’shihej andej. Pas rindërtimit të shtëpive, financuan shkollimin e motrave dhe vëllezërve në Kosovë, blen mijëra vetura për vëllezër e familje….shpenzuan miliarda euro në 20 vjetët e fundit dhe e mbajtën gjallë çdo shitore, çdo biznes të Kosovës.

Pas krejt këtyre fazave, diaspora nisi të merrej me veten dhe të shkollohet. Sot veç në Gjenevë janë mbi 220 studentë shqiptarë. Nuk dua të listoj këtu raste e super raste ku diaspora shndrit, larg errësirës mediokre të vendit nga vjen.

Veç një gjë duhet të dihet, pa kontributin 50-vjeçar të diasporës, Kosova nuk do të ekzistone sot as si gjeografi, as si shtet. E këta kapadaitë e 2km katror kurrë s’do ta kishin pasur rastin ta shprehin kaq hapur injorancën e tyre kolektive.

E njëjta diasporë sot është rikthyer në shpresë për 2 milionë të pashpresët e Kosovës që bandat politike me argatët e tyre çdo ditë i shtyjnë drejt ikjes. Krejt ato viza pune, krejt ato strehime e krejt ato mundësi integrimi të shpejtë, veç diaspora jonë e fuqishme mund t’i bëjë.

Diaspora e ka veç një faj: që dha kaq shumë për Kosovën, e në fund i doli një shtet bandit me shoqëri të çoroditur.