Lajme

Deputeti i PDK-së del kundër Veselit, mbron Haradinajn për taksën 100 për qind për Serbinë

02/27/2019 20:32
nga:A. R.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Haradinaj, sa i përket qëndrimit të tij që taksa 100 për qind të mos hiqet deri në njohjen e pavarësisë nga Serbia.

Ndryshe nga kryetari i partisë së tij, Kadri Veseli i cili ka kërkuar që taksa 100 për qind të pezullohet për 120 ditë, Hasani thotë që kjo masë e vendosur është legjitime dhe që nuk duhet të hiqet, shkruan Gazeta Blic.

“Taksa është legjitime, është e vendosur nga Qeveria e Kosovës, është e vendosur nga institucionet e shtetit, dhe është e vendosur për ta mbrojtur shtetin e Kosovës nga ndikim ekonomik i Serbisë, kështu që taksa ka legjitimitet, kërkoj që të vazhdohet me taksën dhe të harmonizohen qëndrimet e liderë në mbrojtje të Kosovës në raport me taksën dhe me statusin politik të 17 shkurtit 2008”, tha ai për “Gazeta Blic”.

Taksa 100 për qind, nuk i rrezikon raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë me tej Hasani. Ai bëri të ditur se raportet me SHBA-në, rrezikohen kur po përmendet ndryshimi i kufijve.

“Taksa nuk i rrezikon raportet me SHBA-në. Kufijtë dhe ndryshimi i tyre janë ato që po i rrezikojnë raportet me SHBA-në, Pra, taksa nuk është rrezik, ajo po e mbron dinjitetin e Kosovës, qytetarët e sa”, përfundoi ai.

Theksojmë që liderët kosovarë kanë pranuar ditë më parë një letër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në letër thuhet se SHBA janë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë Haradinaj për taksën 100 për qind. Ata kanë kërkuar që taksa të pezullohet.

Po ashtu,gjatë ditës së sotme, kryeministri Haradinaj së bashku me presidentin Thaçi, kanë pritur në një takim përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley.

Edhe pas takimit, Haradinaj nuk është lëkundur nga vendimi i tij për taksën. Por, ai ka sqaruar se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë./Gazeta Blic./

08/16/2019 18:19

Shala për taksën ndaj Maqedonisë së Veriut: S’ka të bëjë me fushatën zgjedhore, taksa s’hiqet derisa të reflektojnë