Opinion

Asimetria e gjysmëhënës shiite

05/10/2018 10:53
nga:Xhemal Ahmeti

 Shkruan: Xhemal Ahmeti

Mbrëmë u shkrepën raketat e para, të cilat nga plotë lexohen si efekti i parë i politikës së Trumpit për të prishur marrëveshjen me Iranin. Kush i percepton sulmet e mbrëmshme si rutinë të luftës tashmë shekullore ndërmjet hebrenjve dhe filistinëve biblikë, gabon rëndë. Fjala është për një përplasje të re globale, që mund të reduktohet si arenë ku: Trump-Macron-Sallman luftojnë kundër Putin – Ruhan-Erdogan. Me ç’afektesh të këtij konflikti do përballen shtetet e Ballkanit, respektivisht ato shqiptare ose si do të veprojnë ato?

Natën që shkoi Izraeli njoftoi; bazat e saja në majat e Golanit të jenë sulmuar me 20 raketa nga forcat iraniane, të stacionuara në Siri. Paralelisht nga Damasku poashtu u raportua; Izraeli sulmoi me rreth 30 raketa qendrat ku i pandeh të stacionuar paramilitarët nga Teherani. Përveç këtyre një flotë aeroplanësh bombardoi gjithandej Sirisë. «Ky sulm i Al-Quds-brigadave iraniane është tepër i rëndë», tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite Jonathan Conricus. Saherë që Izraeli të vë në përdorim formulat e këtilla retorike dihet se pason një fazë mëradikalizimi të situatës në rajon.
Shumica e ekspertëve perëndimorë, të situatës në Siri e më gjerë, si shumë shpejtë reduktojnë analizën brenda kornizës së konfliktit tashmë mitik ndërmjet hebrenjve dhe filistinëve postegjiptas. Këto dy pole armiqësore kësaj radhe madje janë kokat më të vogla të Hidrës së rizgjuar që sapo shpaloi prologun e asaj se çka do ndodhë matej.
Çka ngjet në Lindjen e Mesme dhe çka donë të thotë kjo për Europën e veçanërisht për Ballkanin?

HARKU SHIIT

Nuk janë hardliner-ët përreth presidentin amerikan Trump, ata që ia dolën ta bindin dhe nxisin atë, që të tërhiqet nga «Joint Comprehensive Plan of Action [2015]», nga marrëveshja ndërmjet superfuqive dhe Iranit, e cila parandalon selinë globale të shiitëve të ndërtojë armë atomike. Analiza e telefonatës ndërmjet presidentit francez dhe atij iranian Hassan Rohani, që ndodhi menjëherë pas hyrjes në Palais de l’ Élysée të Emmanuel J.M.F. Macron në maj të vitit të kaluar, nxori mbi ujë shkaqet e eskalimit që mbrëmë u materializuan me raketat e para. Telefonata në fjalë, ku Rohani ia preu kategorik të sapo-emëruarit se «Marrëveshja është e pandryshueshme dhe se Teherani nuk njeh asnjë obligim tjetër përpos asaj», prodhoi pyetjen logjike pasuese: «Kush kërkon ndryshimin e saj dhe për ç’arsye»?
Arabia Saudite me Emiratet e Bashkuara tash e që prej ditës së nënshkrimit të JCPA-së, ankohen tek aleatët perëndimorë duke kërkuar që ta korrigjojnë «gabim asgjësues të Obamas për rajonin». Sipas tyre Ajatollahët përkundrazi kanë intensifikuar uranizimin e tyre në minierat e Saghand-it, Ardakani-it dhe Gashini-it. Dokumentacioni i siguruar së fundi nga këto vende dhe perëndimorët mbi aktivitetet në reaktorët Arak dhe Isfahan u jep të drejtë. Edhe akuza tjetër e kësaj ane se Irani përfiton nga kjo marrëveshje për të realizuar në prapaskenë «strategjinë asimetrike gjysmëhëneshe» për të futë nën kontroll rajonin, del e arsyeshme: Brigadat Al-Quds, Hizbollahët në Palestinë, Jemen, Katar, Siri, Libanon dhe plotë vende tjera, të pajisur me armë ruse, kineze janë trupi faktik i këtij plani iranian që synon, siç e argumenton politikologu Hilal Khashan i Universitetit Amerikan në Bejrut realizimin e «harkut shiit, që ka formën e një gysëmhëne, e cila përfshinë rajonin nga Iraku deri në skaj të Libanonit».

TRINITETI I RREZIKSHËM

Tema kryesore e vizitës së Macron-it tek Trump në prill të këtij viti ishte pikërisht kjo; «strategjia asimetrike gjysmëhëneshe shiite», respektivisht si të parandalohet destruksioni iranian në rajon. Ndërmarrje që kanos edhe «oksidentin», tashmë kur nuk ekziston penda që ishte pas LDB-së e këtej, Turqia. E fundit, për shkak të deprofesionalizimit dhe shkatërrimit të strukturave të sigurisë nga Erdogan nuk konsiderohet më e aftë për të ndihmuar krahas aleancës së NATO-s kundër stuhive të këtij lloji. Përkundrazi perceptohet po me aq dyshim si monarkia e ajatollahëve ëndrrashumë të ish-Persisë. Ankaraja akuzohet edhe më thellë se vetëm kaq. Jo vetëm nga arabët. Shërbimeve franceze iu mveshet zbulimi i «Traktatit» finalisht të nënshkruar poashtu në prill të këtij viti ndërmjet Rohanit, Erdoganit dhe Putinit për ndarjen e sferave të ndikimit në Lindjen e Mesme; harku gjysmëhënësh shiit nën kontroll të Teheranit dhe pjesa tjetër «sunite» nën «menaxhim» të Ankarasë, me asistencë e garanci të Moskës dhe Pekinit. Nëse bota «orientale» vërtet synohet të ndahet kështu, atëherë kuptohet frika e sauditëve, emirateve, kurdëve dhe gjithë tjerëve që do të ndëshkoheshin rëndë nën dominime të llojit. Këtë master-narrativë politike si duket tashmë e ka përvetësuar edhe linja Washington – Paris.

PREVENTIVA «OKSIDENTALE»

Kronika e ngjarjeve pas këtyre takimeve dhe «traktateve» dekodon edhe vendosshmërinë e SHBA-ve për ta anuluar sa më parë marrëveshjen në fjalë. Franca tashmë edhe hapur lufton për modifikimin e saj. Kundër janë shtetet që kanë hapur biznese të rënda me Teheranin si Gjermania – kontratat e lidhura industriale në vitin 2016 nga Sigmar Gabriel – Italia, disa nga vendet skandinave dhe Rusia e Kina që furnizojnë me armatim.
«Me tërheqjen e marrëveshjes vendet e BE do të detyroheshin të përcaktoheshin me Amerikën apo Iranin», pandeh me të drejtë profesori i Politikës Europiane dhe eksperti i Lindjes së Mesme Tobias Schumacher për mediat zvicerane. Sipas tij kjo s’mund të ndodhë, ngase qeveritë europiane do të tërmetoheshin nga popujt e tyre. Ngurrimi i europianëve për të thyer këtë status quo – jo për Iranin që punon ne prapaskenë – deri-diku me të drejtë edhe konsiderohet si «paaftësi tipike e kontinentit të vjetër për të pranuar me kohë gjërat që janë aq të dukshme» siç nënçmoi John R. Bolton dikur qeveritë europiane në një fjalim rreth Iranit. Ndarja e rajonit ndërmjet Erdoganit dhe Rohanit me Putinin si mentor do të ishte tragjike për të gjithë, pavarësisht se a janë kurdë, sunitë, shiitë apo pers (siç vetidentifikohet opozita iraniane). Treshja përfaqëson ideologji dhe vizione që nuk janë konform me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe shumicës së konventave ndërkombëtare, mbi të cilat funksionon perëndimi, gjë që do të ashpërsonte edhe më raportet ndërmjet dy blloqeve që synojnë afrimin.

PROGNOZA

Anulimi i marrëveshjes parasë-gjithash është i rëndësisë së madhe për Arabinë Saudite. I çliron ata për veprim. E vetëperceptuara si qendra e islamit, po të mos pengohej nga aleatët perëndimorë, qëmoti do të kishte reaguar kundër ndarjeve të sajuara në Teheran e Ankara dhe destruksioneve në Katar, Jemen e gjithandej që i shkakton dyshja e shiitëve dhe neoosmanëve. SHBA- të dhe europianët, duke u thirrur në emër të kësaj marrëveshjeje parandalonin çdo aksion të sauditëve dhe emirateve që të bëjnë diçka në mbrojtje të zonave të tyre të ndikimit. Përndryshe vetëm sauditët me 87 miliardët e tyre për vit që japin për armatim mund zgjedhin problemet shumë shpejtë vetë (klientë të perëndimorëve). Sipas ekspertëve ushtarak Riadit i nevojiten vetëm 24 orë që ta eliminojë çdo objekt fluturak të Iranit e mos flitet për vendet tjera. Këtu kuptojmë edhe arsyen e strategjisë së Iranit pse qenka simetrike.
Çdo kalkulim flet se boshti Washington- Paris kësaj udhe i është nisur. Me rënien e ajatollahëve të Teheranit zbehet shumë edhe ndikimi i Turqisë andej në luftën kundër kurdëve dhe tjerëve. Ëndrra e Erdoganit për tu pranuar si kalif edhe në zonat burimore të Islamit do të zhbëhej përfundimisht. Do ta jepte shpirtin duke llogaritur me satelitët që i beson në Ballkan, ku vërtet mund të krijohen afekte të pakëndshme për shkak të kësaj krize globale – larg tyre. Sidomos kur kihet parasysh se Ballkani është gropa magnetike e dramave – tavolina e eksperimenteve të fundit të «perandorive» në çartje e sipër.
Politika e Trump-it dhe Macron-it sado që të duket agresive dhe jodiplomatike ajo del e mençur ngase i mbyll udhën para tjerave instrumentalizimit rus të rajonit dhe parandalon dy diktatura teokratike që do ta përmbysnin rajonin edhe më në mjerim.

BALLKANI SI GJITHMONË

Afektet e kësaj lufte pritet të regjistrohen më shumti në sferat ballkanike të shqiptarëve. Shqipëria nga njëra anë strehon një pjesë vitale të opozitës iraniane (properse), nga ana tjetër plotë institucione gjenden në ndikimin e Erdoganit dhe në anën e tretë tenton të ruajë gülenistët e fundit dhe shkollat e tyre. Përpos radikalizimit të konfliktit ndërmjet këtyre grupeve një masë e madhe e xhematit mysliman janë ithtarë radikal të Erdoganit, të cilët i fundit do t’i përdor për t’ia vizatur Shqipërisë një imazh antiperëndimor si tashmë disa herë. Qeveria shqiptare do të jetë e bllokuar të veprojë për shkak se shumëçka është pronë e turqve. Nëse kriza zgjat deri atëherë kur të jetë mbaruar aeroporti i Vlorës kush garanton se Erdogan edhe nga aty do të operonte në drejtime të ndryshme. Ashtu siç operon nga aeroporti i Prishtinës nga ku i nis gylensitët që arreston kur t’i teket (i përmendim këto që dihen publikisht) dhe nga ku nisen shërbimet sekrete turke drejt thellësive të Ballkanit. Në Kosovë dhe Maqedoni gjendja do të jetë edhe më e rëndë, kur kihet parasysh se bashkësitë islame janë komplet nën diktatin e Diyanetit. Këto struktura do t’i shkaktojnë shumë probleme sigurisë së këtyre vendeve. Ashtu siç i bënë pas përzierjes ilegale të Turqisë në mbështetjeje të Al Kaidës dhe ISIS dikur. Qeveritë deklarativisht patjetër se do radhiten në korin e perëndimorëve dhe jo rusëve, Iranit, Kinës dhe Erdoganit, por kjo nuk do të luajë ndonjë rëndësi ngase të paforcta. Ose tashmë punojnë ndryshe dhe krijojnë atë distancë mbrojtëse ndaj krizave të këtilla globale siç e kanë Kroacia, Bullgaria dhe shumë vende tjera ballkanike?

 

11/21/2018 09:49

«Krimi» dhe ndëshkimi i Kosovës