Lajme

Albin Kurti ‘shuplakë’ Ramush Haradinajt për rastin “Maxhuni”

10/24/2018 12:45
nga:Gazeta Blic

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një shkrimi në “Facebook”, ka komentuar rastin e djalit të Drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhuni dhe ‘heshtjen’ që po mbretëron në lidhje me këtë çështje, shkruan Gazeta Blic. 

Kurti ka thënë për emërimin e Shpend Maxhunit, Thaçi ka dhënë direktivat derisa Kryeministri i ka pranuar ato, por, nuk dihet se çka do të ketë si shpagim për këtë rast.

“Kur Kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike”, ka shkruar ai, përcjell Gazeta Blic.

I pari i VV-së ka thënë se Kosovës i nevojitet vettingu jo vetëm gjyqësorit e prokurorisë por edhe policisë e inteligjencës.

Shkrimi i plotë i Kurtit: 

Emërimi i drejtorit të AKI-së dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, janë direktiva të Presidentit të pranuara nga Kryeministri, i cili nuk dimë se çfarë mori si shpagim në pazar. Kur Kryeministri thotë t’ia lëmë këtë çështjen ‘Maxhuni’ organeve të rendit a sistemit të drejtësisë, ai po thotë “na e leni këtë punë neve”, thua se bëhet fjalë për çështje private dhe jo publike. Kapësit e shtetit e kanë ndarë popullsinë në familjarët e tyre të paprekshëm dhe qytetarët e tjerë të pambrojtur. Paanshmëria, objektiviteti dhe profesionalizmi i organeve shtetërore matet pikërisht në raste të këtilla siç ishte ai ‘Maxhuni’ i 12 tetorit (i publikuar vetëm një javë më pas), e jo në rastet e hajnave të pulave. Shpërputhjet midis deklaratave të policisë dhe prokurorisë në rastin ‘Maxhuni’ janë dëshmi e ndërhyrjeve nga lart.

Kosova nuk ka nevojë vetëm për reformë të drejtësisë, por edhe për reformë të sigurisë. Pra, Kosovës i nevojitet jo vetëm reforma e vetingu i gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe ai i policisë dhe inteligjencës. Reformat në organet e rendit e të sigurisë nuk bëhen me rokada dostash që kryejnë favore private nga pozitat publike. Në polici ka njerëz të mirë e me integritet, profesionistë e patriotë, por ata mbi kokë i kanë të këqijtë, kapësit e shtetit, pushtetin që i shërben vetvetes, familjarëve të tyre e miqve biznesmenë. E, me të tillët nuk ka as drejtësi e as siguri”.

06/04/2019 08:18

Kurti: Le të festojmë e të anojmë kah e drejta, e mira dhe e vërteta