Lajme

A ka vendosur Gjykata Kushtetuese ndaj vendimit të Thaçit për KQZ-në?

06/19/2019 07:48
nga:Gazeta Blic

Ndonëse kanë kaluar me tepër se dy muaj nga koha kur subjektet politike PSD, AAK, dhe NISMA , kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të dekretit të presidentit Hashim Thaçi, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), por gjykata ende nuk ka marrë një vendim.

Nga data 8 Prill lënda vazhdon të jetë në shqyrtim. Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” drejtori i Zyrës për Komunikim Veton Dula.

“Vendimi do të merret brenda një afati të arsyeshëm kohor, pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të çështjes së parashtruar”, ka thënë ai.

Ndërkaq subjektet politike që e kanë dorëzuar rastin në Kushtetuese, insistojnë se vendimi i presidentit nuk është në përputhje me kushtetutën dhe si i tillë duhet të anulohet. PSD, AAK dhe NISMA kërkojnë nga presidenti që në KQZ, të përfaqësohen si parti politike dhe jo si koalicion, ngase përfaqësimi si koalicion, i privon disa prej tyre që të sigurojnë ulëse në këtë organ.

Thaçi, ka emëruar tetë anëtarët e rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me 28 mars të këtij viti, pas një viti vonesë.

Këto emërime kanë zhbllokuar punën e këtij organi, i cili për më gjatë se një vit ishte jofunksional, pikërisht për shkak të mungesës së anëtarëve.

Vonesa e presidentit Thaçi për këto emërime pasoi reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku mes tjerash thuhej se “dështimi për t’i bërë emërimet, e ka lënë KQZ-në të paaftë për të kryer funksionet e saj themelore”.

Nga tetë anëtarët e rinj, dy janë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dy nga Lëvizja Vetëvendosje dhe katër nga komunitetet jo shumicë.

Si e parasheh Kushtetuta plotësimin e anëtarëve të KQZ-së:

NENI 139

KUSHTETUTA E KOSOVES

KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE

  1. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve e referendumet dhe shpall rezultatet e tyre.
  2. Komisioni përbëhet nga njëmbëdhjetë (11) anëtarë.
  3. Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e emëron Presidenti i Republikës së Kosovës nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe të Gjykatave me jurisdiksion apeli.
  4. Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara. Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi a grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një (1) anëtarë emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetin Serb të Kosovës dhe tre (3) anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara a të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

 

11/18/2019 19:08

Kështu VV po e përjashton nga qeveria NISMA-n, ky është plani i Albin Kurtit për 61 vota në Kuvend