Lajme

​Bytyqi nxënësve nga Kosova e Shqipëria: Ju mund ta bëni kombin pa ndarje fizike

04/21/2019 19:51
nga:Gazeta Blic

Nxënësit shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë janë ambasadorët më të mirë të kombit, pasi më mirë se politikanët, heqin kufijtë mes dy vendeve.

Kështu ka deklaruar sot ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, në një takim me 60 nxënës nga Kosova, të cilët kanë qëndruar për disa ditë në familje në Shqipëri, si dhe 60 të tjerë nga Shqipëria, të cilët tash do të qëndrojnë në familjet e këtyre nxënësve në Kosovë.

Kjo është pjesë e programit që ngërthen shkëmbimin e nxënësve mes dy vendeve, si pjesë e marrëveshjes mes ministrive përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri Bytyqi u shpreh i sigurt se edhe nxënësit nga Shqipëria do të kalojnë shumë mirë në familjet në Kosovë. Teksa bëri të ditur se ky projekt do të vazhdojë të zgjerohet edhe më tej, duke rritur periudhën e qëndrimit të nxënësve në vendet përkatëse.

Zëvendësministrja e Arsimit në Shqipëri, Lorena Haxhiu, u shpreh se e lumtur me realizimin e këtij programi, duke thënë se kjo iniciativë do të lërë gjurmë te të gjithë nxënësit që ishin pjesë e tij, por edhe te bashkëmoshatarët e tyre.

Ajo tha se nxënësit pjesëmarrës të këtij programi janë ambasadorët më të mirë për të treguar se çfarë duhet të përmirësohet në të ardhmen.

Ndërsa entuziast për këtë lloj të bashkëpunimit ishin nxënësit si nga Kosova ashtu edhe nga Shqipëria, ku disa nga ta ndanë me të pranishmit përvojat e tyre.

Leurati nga Kosova tregoi se kishte kaluar më mirë se që kishte pritur në Shqipëri. Ndërsa Vanesa nga Ferizaj, u shpreh se krahas kohës shumë të mirë që kishte kaluar në Shqipëri, ka vërejtur se në disa lëndë përkundër kurrikulës së njëjtë mësimore, nuk kanë realizuar përmbajtjen e njëjtë si në Kosovë.

Për këtë, ajo sugjeroi që të ketë një bashkëpunim më të madh mes institucioneve arsimore, në mënyrë që të zhvillohet i njëjti program mësimor.

Ndryshe, 60 nxënës nga Kosova janë kthyer në vend pas qëndrimit një javor në Shqipëri, ndërsa këtë javë, janë 60 nxënës nga Shqipëria që do të qëndrojnë në familjet e Kosovës, në mënyrë që të shohin nga afër sistemin arsimor në vend.

10/11/2019 23:16

Notat e futbollistëve: Turqi – Shqipëri